Shitet me çmim marramendës xhaketa e veshur nga Buzz Aldrin gjatë fluturimit për në Hënë
Xhaketa e veshur gjatë fluturimit për në Hënë nga ish-astronauti i famshëm amerikan, Buzz Aldrin, është shitur për një çmim marramendës prej 2.8 milionë dollarësh.
Xhaketa ka ngjyrë të bardhë. Në pjesën e djathtë të gjoksit e ka logon e NASA-s, ndërsa në krahun e majtë flamurin amerikan.
Rroba është njëra nga 69 gjësendet personale që ish-astronauti tashmë 92-vjeçar ka vendosur që t’i nxjerrë në shitje.
Xhaketa u shit nga shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” dhe u bë artefakti më i çmueshëm hapësinor amerikan që është shitur ndonjëherë në ankande.
Ish-astronauti Aldrin kishte arritur në Hënë më 1969 dhe është i vetmi anëtar i ekuipazhit që është ende gjallë.