Shefi i NATO-s: Putin ka nënvlerësuar aftësinë e aleancës për të mbështetur Ukrainën
Gjatë një vizite në Downing Street në Mbretërinë e Bashkuar, shefi i Nato-s, Jens Stoltenberg ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin ka bërë “disa gabime të mëdha”, në kohën kur ka pushtuar Ukrainën.
“Presidenti Putin ka bërë disa gabime të mëdha kur pushtoi Ukrazinën, gabime strategjike,” tha Stoltenberg duke shtuar se një nga gabimet ishte nënvlerësimi i ukrainasëve dhe guximit të tyre për të luftuar në mbrojtje të vendit të tyre.
Më tej, shefi i NATO-s, tha se gabimi tjetër i Putin ishte edhe nënvlerësimi i aleatëve të aleancës dhe aftësisë së tyre për të mbështetur Ukrainën.
“Ajo çfarë ne kemi parë, është që aleatët e NATO-s dhe partnerët kanë dhënë mbështetje të paprecedentë për Ukrainën. Dhe ajo çfarë ne shohim janë mesazhet politike nga vendet e ndryshme aleate që tregojnë se jemi gati të vazhdojmë të japim mbështetje për aq kohë sa ka nevojë”.
Stoltenberg shtoi se “ka gjithmonë zëra që mund të kenë mendim ndryshe, por mesazhi nga shumica është se do të vazhdojmë të mbeshtesim Ukrainën”.
