Shefi i diplomacisë spanjolle: ''Nuk i pranojmë pasaportat e Kosovës''
Shefi i diplomacisë spanjolle, Jose Manuel Albares, ka konfirmuar se Spanja do të jetë i vetmi vend në zonën Shengen që nuk do të pranojë pasaportat e Kosovës, përkundër liberalizimit të vizave.
Albares, pas një takimi me shfefin e diplomacsë gjermane në Berlin, tha se Spanja ka politikën e saj të mosnjohjes së Kosovës, e kjo përfshin edhe mos-njohjen e pasaportave.
“Spanja ka politikën e saj të mosnjohjes së Kosovës dhe kjo përfshin mosnjohjen e pasaportës së Kosovës, siç kemi bërë vazhdimisht deri më tani”- tha Albares, raporton Kosovo Online.
Brukseli njoftoi të premten se qeveria spanjolle do të jetë e vetmja në zonën Shengen që nuk do të zbatojë përjashtimin e vizave për Kosovën, rregullore e ratifikuar nga Parlamenti Evropian, që do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.
Njohja e dokumenteve të udhëtimit është një kompetencë kombëtare, dhe Spanja nuk i njeh dokumentet e udhëtimit të Kosovës.
Këto qëndrime të Spanjës vijnë përkundër arritjes së marrëveshjes së Brukselit/Ohrit dhe që kishte ndjellur shpresë se ky shtet do të ndryshonte qëndrim rreth Pavarësisë së Kosovës.