ShBA-ja kryen edhe dy sulme në Jemen, thotë se shkatërroi raketa anti-anije
Ushtria amerikane ka kryer edhe dy sulme në Jemen, për të cilat thotë se kanë shkatërruar raketa anti-anije, të cilat synoheshin që të hidheshin në Detin e Kuq. ShBA-ja thotë se rebelët Houthi po përgatiteshin që t’i hidhnin këto raketa.
Komanda Qendrore e Ushtrisë së ShBA-së në rrjetin X shkroi: “Forcat e ShBA-së i identifikuan raketat në zonat e kontrolluara nga Houthi në Jemen dhe përcaktuan se ato paraqisnin një kërcënim të menjëhershëm ndaj anijeve tregtare dhe anijet e Forcave Detare të ShBA-së në rajon.”
U.S. CENTCOM Destroys Two Houthi Terrorists' Anti-Ship Missiles
— U.S. Central Command (@CENTCOM) January 24, 2024
On Jan. 24 at approximately 2:30 a.m.(Sanaa time), U.S. Central Command forces conducted strikes against two Houthi anti-ship missiles that were aimed into the Southern Red Sea and were prepared to launch. U.S.… pic.twitter.com/l3CMPrDx92
Kjo komandë i përshkroi sulmet si “vetëmbrojtje”. Këto janë sulmet më të reja kundër rebelëve të përkrahur nga Irani për shkak të shënjestrimit të lundrimeve nëpër Detin e Kuq prej tyre. Një valë më e madhe e sulmeve kundër tyre u krye edhe të hënën vonë, raporton gazeta “The Guardian”.
Rebelët Houthi, të cilët i kanë nën kontroll pjesët më të populluara të Jemenit, kanë thënë se sulmet e tyre ndaj anijeve janë solidarizim me palestinezët, përderisa Izraeli po e sulmon Gazën. Këto sulme e kanë penguar transportin detar global dhe e kanë thelluar shqetësimin se pasojat e luftës Izrael – Hamas mund ta destabilizojnë Lindjen e Mesme.