ShBA-ja ia tërheq vizën ambasadores së Brazilit, zyrtari amerikan i tregon arsyet - NACIONALE

ShBA-ja ia tërheq vizën ambasadores së Brazilit, zyrtari amerikan i tregon arsyet

3 orë më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara ia kanë tërhequr vizën ambasadores së Brazilit në Uashington për shkak të mbajtjes pezull të miratimit formal diplomatik të të emëruarit të administratës së Trumpit për ambasador në Brasilia dhe për refuzimin e vizave disa diplomatëve amerikanë, tha të martën një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.

Viza e ambasadores Maria Luiza Ribeiro Viotti do të kthehet, nëse situata zgjidhet, tha zyrtari amerikan, i cili i njoftoi gazetarët në kushte anonimiteti, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Tërheqja e vizës për ambasadoren është zhvillimi më i ri në një përplasje që po thellohet mes qeverive të presidentëve Donald Trump dhe Luiz Inacio Lula da Silva. Zyrtarë të Trumpit e kanë akuzuar qeverinë e Lulas për censurim të konservatorëve. Brazili u është kundërvënë atyre që i sheh si përpjekje të Uashingtonit për të ndikuar në politikën e Amerikës Latine në favor të konservatorëve.

Qeveria braziliane nuk iu kundërpërgjigj menjëherë lëvizjes së ShBA-së.

Muajin e kaluar, Brazili tha se u kishte mohuar viza zyrtarëve të Byrosë së Demokracisë, të Drejtave të Njeriut dhe Punës, organ i Departamentit të Shtetit, duke thënë se qëllimi i vizitës së tyre ishte minimi i sistemit zgjedhor të Brazilit para zgjedhjeve të tetorit.

Kjo erdhi pasi Brasilia me javë e kishte mbajtur pezull miratimin formal të të nominuarit të Trumpit për ambasador në Brazil, Daniel Perez, aleat i ngushtë i sekretarit të Shtetit, Marco Rubio.

Lajme të ngjashme