Reuters: ShBA-ja i ka harxhuar “pothuaj të gjitha” raketat precize me rreze të gjatë në luftën me Iranin - NACIONALE

Reuters: ShBA-ja i ka harxhuar “pothuaj të gjitha” raketat precize me rreze të gjatë në luftën me Iranin

1 javë më parë

nga NACIONALE

Ushtria amerikane ka harxhuar një pjesë të madhe të rezervave të veta globale të raketave precize me rreze të gjatë gjatë luftës 5-mujore me Iranin, sipas tre personave të afërt me të dhënat, duke shkaktuar shqetësim për gatishmërinë e ushtrinë për konfliktet në të ardhmen.

Bëhet fjalë kryesisht për armët tokë – tokë, të njohura si ATACMS dhe PrSM. Shtetet e Bashkuara i kanë shfrytëzuar “pothuaj të gjitha” këto armë, sipas dy prej burimeve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shkalla në të cilën ushtrisë po i harxhoheshin raketat e sistemeve ATACMS dhe PrSM nuk është raportuar më parë.

Municionet me rreze të gjatë – që kushtojnë më shumë se 1 milion dollarë secila – janë pjesë e rëndësishme e arsenalit ushtarak, duke mundësuar sulme të sakta nga një largësi e sigurt. Sistemet ATACMS të dhuruara nga ShBA-ja kanë luajtur rol kyç në luftën në Ukrainë, duke u mundësuar forcave ukrainase që të sulmojnë caqe brenda Rusisë. PrSM-ja është gjeneratë më e re dhe më e avancuar që do ta zëvendësojë ATACMS-në, që ka rreze veprimi më të shkurtër.

Rënia dramatike e rezervave të raketave precize me rreze të gjatë nënkupton se presidenti Donald Trump mund të detyrohet që të mbështetet në misione më të rrezikshme me pilotë, nëse rinis sulme të nivelit të lartë kundër Iranit.

Burimet nuk treguan se sa prej secilit municion i ka mbetur ShBA-së.

Trumpi e nisi luftën kundër Iranit bashkë me Izraelin në shkurt, duke parashikuar se konflikti nuk do të zgjaste shumë.

Megjithatë, kur lufta po vazhdon, tre personat e afërt me çështjen shprehën shqetësim se rezervat raketore që po pakësohen do të mund ta kufizonin aftësinë e ShBA-së për t’i frenuar armiqtë, përfshirë Rusinë e Kinën.

Një person i katërt, i afërt me çështjen, tha se pavarësisht përdorimit të madh të armëve precize, ShBA-ja mund të rifurnizohet. Ky person tha se Komanda Qendrore, e cila i mbikëqyr forcat amerikane në Lindjen e Mesme, ka qenë në gjendje që t’i rimbushë rezervat nga dërgesat ushtarake amerikane përreth botës.

Burimet e intervistuara për këtë artikull folën në kushte anonimiteti.

Kur iu kërkuar koment për të dhënat rreth rezervave të armëve, Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë nga Trumpi, ku thuhet se ShBA-ja ka “shumë më shumë municione se kushdo në botë” dhe “shumë më shumë se që na nevojiten”./Nacionale

Lajme të ngjashme