Shala: Padia për gjenocid nuk do vlerësohej në merita, fatkeqësi premtimi i tillë për familjarët
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se premtimi se do të paditet Serbia për gjenocid nuk do të shqyrtohej fare në merita, premtimi i tillë sipas tij është fatkeqësi për familjarët e viktimave.
“Ideja që vetë premtimi se do të paditet Serbia për gjenocid përderisa ne e dimë që Kosova nuk mund ta bëjë këtë juridikisht, nuk mund ta ngrisë një padi të tillë për shkak se do të hudhej si e palejume, nuk do të shqyrtohej fare në merita dhe unë besoj që kjo është arsyeja sepse tash vonë e kanë kuptu që kjo nuk bëhet”, tha Shala.
Sipas tij, që nga fillimi kur është prezantuar plan-programi i partisë, IKD-ja ka thënë se kjo çështje nuk bëhet.
“Mirëpo përtej kësaj, përtej një premtimi abstrakt, kjo është një fatkeqësi dhënia e premtimeve të tilla, për shkak se familjarët e viktimave të cilët presin me dekada drejtësi ata ndoshta nuk janë juristë profesionistë që ta dinë legjitimitetin e një rasti ose jo, dhe fatkeqësisht në njëfarë forme luhet me ndjenjat e atyre që në fund të ditës presin drejtësi për familjaret e tyre”, tha tutje Shala.
Po ashtu, ai ka theksuar se duhet të ketë një vetëdijesim ndërpartiak edhe në zgjedhjet e tjera që në asnjë rrethanë mos të jepen ideja abstrakte.