Së paku 60 të vdekur nga vërshimet në Afganistan - NACIONALE

Së paku 60 të vdekur nga vërshimet në Afganistan

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën 60 persona kanë vdekur dhe mbi 100 të tjerë janë lënduar pas vërshimeve në pjesën veriore të Afganistanit, sipas zyrtarëve talibanë.

Dhjetëra persona mbeten të zhdukur, pasi shiu u dendur përfshiu pesë distrikte të provincës Baghlan. Pati paralajmërime se numri i viktimave mund të rritej, sepse dy stuhi të tjera ishin parashikuar për të premten natën në rajon.

Në pamje të publikuara në rrjete sociale shihet uji duke depërtuar nëpër shtëpi në disa fshatra, duke lënë shumë shkatërrim, raporton televizioni BBC.

Afganistani është përfshirë nga reshjet e jashtëzakonshme të shiut gjatë javëve të fundit. Më shumë se 100 njerëz e kanë humbur jetën nga mesi i prillit.

Abdul Mateen Qani, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme, i tha BBC-së se viktimat ishin nga distrikti Borka i provincës Baghlan.

Më shumë se 200 njerëz kanë mbetur të ngujuar në shtëpitë e tyre atje.

Ky zyrtar i kishte thënë më herët agjencisë “Reuters” se në Baghlan janë dërguar helikopterë, por se “operacioni mund të mos jetë i suksesshëm” për shkak të mungesës së ndriçimit.

Zyrtari lokal, Hedayatullah Hamdard, i tha agjencisë AFP se tenda, batanije e ushqim u janë ofruar disa familjeve që kanë mbetur pa shtëpi. Rruga kryesore që e lidh Kabulin me pjesën veriore të Afganistanit është mbyllur.

Lajme të ngjashme