Së paku 15 të vrarë nga sulmi vetëvrasës në Pakistan, përfshirë 12 ushtarë - NACIONALE

Së paku 15 të vrarë nga sulmi vetëvrasës në Pakistan, përfshirë 12 ushtarë

2 orë më parë

nga NACIONALE

Militantët islamikë përplasën një automjet të mbushur me lëndë shpërthyese në një pikë kontrolli të forcave pakistaneze të sigurisë, duke vrarë 15 njerëz, përfshirë 12 ushtarë, në pjesën veriperëndimore të Pakistanit, tha të premten ushtria, duke shtuar se 12 militantë u vranë si hakmarrje.

Sulmi ndaj pikës që kontrollohej në mënyrë të përbashkët nga ushtria dhe policia ndodhi në natën mes së enjtes dhe të premtes në distriktin Tank, afër kufirit me Afganistanin, zonë që për një kohë të gjatë ka shërbyer si bazë e militantëve islamikë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ushtria u ballafaqua me militantët, të cilët, pasi kishin dështuar që ta thyenin sigurinë e pikës së kontrollit, e drejtuan automjetin me lëndë plasëse drejt murit të jashtëm të saj, thuhet në deklaratën e ushtrisë.

Militantët talibanë lokalë, të njohur si grupi Tehreek-e-Taliban Pakistan, e morën përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se katër sulmues vetëvrasës morën pjesë në të, sipas një deklarate.

Talibanët kanë qenë duke zhvilluar luftë kundër shtetit pakistanez që nga viti 2007 në përpjekje për ta rrëzuar Qeverinë dhe për ta zëvendësuar atë me formën e tyre të qeverisjes së rreptë.

Islamabadi thotë se militantët përdorin zona të sigurta në Afganistan për t’u trajnuar e për të planifikuar sulme në Pakistan, akuzë që është mohuar nga Kabuli. Afganistani thotë se militantët janë problem i brendshëm i Pakistanit.

Lajme të ngjashme