Rusia thotë se është e gatshme ta presë Zelenskyn dhe do t’ia garantonte sigurinë - NACIONALE

Rusia thotë se është e gatshme ta presë Zelenskyn dhe do t’ia garantonte sigurinë

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Ndihmësi i presidentit Vladimir Putin të Rusisë, Yuri Ushakov, ka thënë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mund të vijë në Moskë, nëse dëshiron që të takohet me homologun rus, duke pretenduar se Rusia do t’ia garantonte sigurinë.

Komentetet e Ushakovit rreth bisedimeve të mundshme të paqes u publikuan të mërkurën nga gazetari rus, Pavel Zarubin, të cilin mediumi ukrainas “Kyiv Post” e përshkroi si propagandist.

Duke i komentuar deklaratat e ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Andrii Sybiha, për gatishmërinë e Zelenskyt për t’u takuar me Putinin, Ushakovi tha se kjo çështje “nuk është e re” për Kremlinin.

Sipas Ushakovit, një takim i mundshëm me Zelenskyn është diskutuar disa herë gjatë bisedave telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump. Ai pretendoi se Rusia “kurrë nuk ka refuzuar dhe nuk do ta refuzojë” këtë format të bisedimeve të paqes.

“Gjëja kryesore është që këto kontakte të jenë të përgatitura mirë dhe të përqendruara në arritjen e rezultateve pozitive specifike” – tha Ushakovi, duke shtuar se Putini vazhdimisht ka deklaruar në bisedat e tij me gazetarë se nëse Zelensky është i gatshëm për takim, Rusia do ta ftonte atë në Moskë dhe do t’ia garantonte sigurinë dhe kushtet e nevojshme të punës.

Në fundin e gushtit të vitit të kaluar ishte raportuar se Putini gjoja kishte bërë ofertë që t’i organizonte si nikoqir bisedimet e paqes me Zelenskyn në Moskë. Ai thuhet se e kishte bërë këtë gjatë një bisede telefonike me Trumpin.

Lajme të ngjashme