Rusia thotë se do ta zgjerojë “zonën neutrale” në Ukrainë, nëse Kievi merr raketa me rreze të gjatë
Kremlini tha të mërkurën se Rusia do ta zgjerojë më tej “zonën neutral” të saj brenda Ukrainës, nëse Kievi merr raketa me rreze të gjatë ATACM nga Shtetet e Bashkuara që do t’ia mundësonin sulmet më të thella brenda Rusisë.
Shtetet e Bashkuara janë duke përgatitur një pako 1-miliardëshe të ndihmave ushtarake për Ukrainën, e para që rrjedh nga projektligji për Ukrainën e Izraelin, që nuk është nënshkruar ende, i thanë të martën agjencisë “Reuters” dy zyrtarë amerikanë.
Kur u pyet për mundësinë që në këtë pako të përfshihen raketat me rreze të gjatë të sistemit ATACM, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se qëndrimi i Rusisë për këtë temë nuk ka ndryshuar – se do ta zgjerojë atë që e quan zonë neutrale në Ukrainë, nëse Ukrainës i dërgohen raketa me rreze të gjatë veprimi.