Rusia kërcënon me përdorim të forcave detare për t’i mbrojtur anijet nga “piratëria perëndimore”
Një zyrtar i lartë rus ka thënë se Moska mund t’i dislokojë forcat detare për t’i mbrojtur anijet e lidhura me Rusinë nga sekuestrimet e mundshme nga vendet evropiane, duke e ngritur mundësinë për veprime hakmarrëse kundër transportit detar evropian, kur është shtuar trysnia ndaj të ashtuquajturës flotë në hije e Rusisë.
Nikolai Patrushev, ish-drejtor i FSB-së i cili tani e drejton bordin detar të Rusisë, tha të martën se forcat detare ruse duhet të jenë të gatshme për t’iu kundërvënë asaj që ai e quajti “piratëri perëndimore”, shkruan gazeta “The Guardian”.
“Nëse kjo situatë nuk mund të zgjidhet paqësisht, forca detare do të thyejë çfarëdo bllokade dhe do të lëvizë për ta eliminuar atë. E të mos harrojmë se shumë anije lundrojnë në dete nën flamuj evropianë – ne, gjithashtu, mund të interesohemi për atë që ato janë duke e bartur dhe për ku janë nisur” – i tha ai gazetës ruse “Argumenty i Fakty”.
Patrushevi shtoi se çfarëdo përpjekjeje për t’i vendosur bllokadë detare Rusisë do të ishte e paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, duke pretenduar se përdorimi i termit “flotë në hije” nga Evropa nuk ka bazë ligjore.
Komentet e tij vijnë në kohën kur zyrtarë të lartë ukrainas e rus po takohen të martën në Gjenevë për rundin më të ri të bisedimeve të ndërmjetësuara nga administrata amerikane e presidentit Donald Trump, pak ditë para përvjetorit të katërt të fillimit të luftës.
Para bisedimeve, Rusia kreu sulme të rënda ajrore gjatë natës në disa pjesë të Ukrainës, duke i shkaktuar dëme të mëdha rrjetit energjetik në qytetin jugor të Odesës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se dhjetëra mijëra njerëz mbetën pa ngrohje dhe ujë.