Rusia gjobit Google për 'përmbajtje të paligjshme'
Rusia ka goditur Google me një gjobë prej 21.1 miliardë rubla (373 milion dollarë) për dështimin në kufizimin e materialeve “të ndaluara” në lidhje me luftën në Ukrainë dhe përmbajtjeve të tjera.
Roskomnadzor, rregullatori i komunikimeve i vendit, tha se informacioni përfshinte raporte "të rreme" që diskreditonin ushtrinë ruse dhe postime që u bënin thirrje njerëzve të protestonin.
Ai e quajti gjigantin e teknologjisë amerikane një shkelës "sistematik" të ligjeve të tij, ndërsa deri më tani nuk ka pasur ndonjë koment nga Google.
Kujtojmë se, filiali lokal i kompanisë deklaroi falimentimin muajin e kaluar. Masë e cila erdhi pasi autoritetet ruse konfiskuan llogarinë e saj bankare lokale.
Në vitet e fundit, Rusia ka rritur presionin mbi firmat e teknologjisë, duke i akuzuar ato për mos moderimin e duhur të përmbajtjes së tyre dhe për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit. E pas pushtimit të Ukrainës në muajin shkurt, luftimet me këto kompano vetëm sa janë përshkallëzuar.
Në mars, Google, në pronësi të Alphabet, ndaloi ofrimin e shërbimeve të saj tregtare në Rusi, si reklamat. Ajo gjithashtu ka rritur kufizimet e saj për llogaritë e lajmeve të mbështetura nga Rusia dhe ka zhvendosur stafin nga vendi.
Megjithatë, ndryshe nga disa faqe të tjera të mediave sociale, si Facebook, Google nuk është ndaluar plotësisht në Rusi, ku shumë telefona inteligjentë ende mbështeten në teknologjinë e kompanisë.
