Rukiqi kritikon Qeverinë: Menaxhimi i mjeteve vetanake është kompetencë e komunave, po shkelin Kushtetutën
Berat Rukiqi, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me lëvizjen e fundit të qeverisë në lidhje me mjetet vetanake të komunave të Kosovës. Ai vlerëson se kjo lëvizje është një tentativë e qeverisë për të shkelur Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Në një intervistë për emisionin e ekonomisë Portofol në Klan Kosova FM, Rukiqi ka bërë thirrje për respektimin e kompetencave të komunave në menaxhimin e mjeteve vetanake. Sipas tij, kjo çështje është një kompetencë ekskluzive e komunave, siç është paraparë në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, raporton Klan Kosova.
Rukiqi ka kritikuar qeverinë për veprime të arbitrarshme dhe shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës. Ai ka thënë se qeveria është e detyruar të respektojë kushtetutshmërinë dhe të mos veprojë kundër zhvillimit të komunave. Ai ka akuzuar qeverinë për mungesë profesionalizmi dhe për të mos respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke i kthyer ato si antikushtetuese dhe duke i konsideruar pengesa për reformat.
“Qeverisja e komunave, menaxhimi i mjeteve vetanake, është kompetencë ekskluzive e komunave. Ato mund të vendosin si të destinohen ato mjete. Akolimi, si të përdoren mjetet është kompetencë e komunave sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike. Kjo qeveri është shumë amatore në veprimet e veta. Kur po dërgojmë ligje në Kushtetuese e po i kthehen si antikushtetuese, po e interpretojnë si pengim të reformave. Gjykata Kushtetuese ka garantuar një qasje të drejtë dhe proakrive në mbrojtje të kushtetutshmërisë deri tash” - ka thënë ai.