Rritet përkrahja për Liz Truss-in, thuhet se atë e mbështet edhe Johnson-i
Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss, e ka siguruar përkrahjen e ish-negociatorit për Brexit-in, David Frost, dhe deputetes britanike, Suella Braverman, për t’u bërë kryeministre e vendit.
Kryediplomatja e Mbretërisë së Bashkuar mori 64 vota në rundin e dytë të zgjedhjeve të Partisë Konservatore të enjten. Ajo është zotuar se ekonomia do të ketë “trajektore në rritje” deri më 2024, kur të mbahen zgjedhjet e ardhshme. Në garë, ish-ministri i Financave, Rishi Sunak, doli i pari me 101 vota, ndërsa pas tij ishte ministrja e Tregtisë, Penny Mordaunt me 83 vota.
Gazeta “The Times” raportoi se kryeministri në largim, Boris Johnon, është duke u bërë thirrje kandidatëve që kanë humbur në dy rundet e para të garës, që të përkrahin këdo tjetër përpos Rishi Sunak-ut.
Duke cituar një burim brenda bisedimeve, kjo gazetë raportoi se duket që Johnson-i është më së shumti në anën e sekretares Truss.
Sidoqoftë, kandidati tjetër, Sunak, po përkrahet nga figura të rëndësishme të partisë, përfshirë zëvendëskryeministrin, Dominic Raab, dhe ministrin e Transportit, Grant Shapps.