Rrena publike e Mefail Bajqinovcit: Tha se tenderi për ushqim në FSK nuk u klasifikua, vendimet dhe ministri e demantojnë
Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, ka gënjyer publikisht në konferencën e grupit parlamentar të VV-së.
Ai ka thënë se tenderi për ushqim në FSK nuk është bërë sekret asnjëherë, do të thotë sipas tij, nuk është klasifikuar.
“Së dyti, Ministria nuk ka shpallur tender sekret, por në tenderin e fundit ka shpallur kontratë emergjente, pasi më 30 shtator i ka skaduar kontrata Beni Donës. Që nga viti 2023 çdo gjashtë muaj është vazhduar kontrata emergjente kësaj kompanie.”
Megjithatë, Nacionale kishte publikuar dokumentin me firmën e ministrit Maqedonci, ku ky tender ishte hequr nga klasifikimi, dhe ishte kthyer në tender të rregullt.
Madje, Bajqinovcin e demanton edhe një vendim i Ministrisë së Mbrojtjes. Këta të fundit nuk pranuan të ofrojnë dokumentin për Nacionalen, me arsyetimin se informacioni është i klasifikuar.
Vendimi ishte nënshkruar nga Gafurr Dugolli, sekretari i Ministrisë, vëllai i Enver Dugollit që ishte në atë konferencë.
Madje, edhe vet ministri Maqedonci në mbledhjen e komisionit e kishte pranuar se informacioni ishte klasifikuar, e më pas ai e kishte kthyer.
Ejup Maqedonci: Ka nivele të ndryshme të klasifikimit. Për atë pjesë e lamë të diskutohet (në raportim me dyer të mbyllura).
Rashit Qalaj: A është klasifiku dhe a është deklasifiku më pas?
Ejup Maqedonci: Po, po.
Nacionale tash e ka adresuar rastin në Agjencinë për Informim dhe Privatësi
