Rizvanolli flet si Kurti: Energjia në Kosovë është neglizhuar me dekada, investohej në rrugë
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka akuzuar pushtetet e kaluara për situatën me energjinë në vend, duke thënë se ky sektor është neglizhuar me dekada.
Rizvanolli në një intervistë për Klan Kosovën, ka deklaruar se atë kohë, investohej në rrugë, sidomos në “autostrada të shtrenjta”.
“Fatkeqësisht në Kosovë energjia është neglizhuar me dekada, investimet publike kanë qenë të fokusuara në infrastrukturë rrugore, veçanërisht në disa autostrada të shtrenjta, derisa furnizimi me energji ishte i kërcënuar, siguria e furnizimit ishte kërcënuar edhe pse kjo fshihej lehtësisht për publikun, sepse mungesat do të plotësoheshin me import, që ishte i lirë, nga 60 deri në 90 euro”, tha ajo.
Rizvanolli ka pretenduar se sapo ka marrë pushtetin, kanë qenë të vetdijshëm për këtë situatë dhe kanë nisur që të punojnë.
Deklarata e Rizvanollit, ngjason me disa të kryeministrit Albin Kurti, i cili shpresh fajëson të tjerët, më konkretisht, pushtetet e kaluara, për situata të ndryshme në të cilat ndodhet vendi.
Vlen të theksohet se ministrja e Ekonomisë, para disa ditëve u bëri thirrje qytetarëve që t’i izolojnë shtëpitë, investim që kushton deri në 5 mijë euro, pasi që sipas saj, dimri do të jetë i vështirë.
