Rinia e PDK-së me aksion para MPJD: Fotografitë mund t’i gjuani, por historinë nuk mund ta fshini
Rinia Demokratike e Kosovës e ka dënuar veprimin e MPJD-së për të hedhur në mbeturinat e këtij institucioni fotografinë e Presidentit Hashim Thaçi.
Si reagim ndaj këtij veprimi, RDK sot ka organizuar një aksion simbolik, duke vlerësuar se ky veprim nuk është vetëm mungesë respekti ndaj një ish-Presidenti të Republikës së Kosovës, por edhe një përpjekje e ulët për të relativizuar dhe fshirë një pjesë të rëndësishme të historisë sonë shtetformuese.
Gjatë këtij aksioni Rinia Demokratike e Kosovës ka vendosur një fotografi të Presidentit Hashim Thaçi.
Gjithashtu fotografia në fjalë shoqërohej me disa nga momentet kyçe të rrugëtimit të tij politik dhe shtetëror.
“Mesazhi ishte i qartë: Fotografitë mund t’i gjuani, por historinë nuk mund ta fshini. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet sipas preferencave politike të kujtdo. Kontributi për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës është i dokumentuar në sakrificë, në vendime historike dhe në rrugëtimin e popullit tonë drejt lirisë. Rinia Demokratike e Kosovës beson se institucionet e Republikës duhet të jenë hapësira që nderojnë historinë dhe kontributin e atyre që kanë shërbyer për vendin, pavarësisht bindjeve politike. Sepse historia e Kosovës është më e madhe se çdo përpjekje për ta fshirë atë. E posaçërisht personalitetin dhe kontributin e Presidentit Hashim Thaçi’, është thënë në njoftimin e PDK-së.