Reagon djali i Jakup Krasniqit: Lufta ishte e drejtë, e pashmangshme dhe legjitime - NACIONALE

Reagon djali i Jakup Krasniqit: Lufta ishte e drejtë, e pashmangshme dhe legjitime

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Altin Krasniqi, djali i ish-komandantit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka reaguar ashpër pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara për 45 vjet burg për krerët e UÇK-së.

Ai e ka konsideruar këtë si një përpjekje për kriminalizimin e rezistencës shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Prokuroria do ta kishte më të lehtë dhe më të sinqertë të deklaronte hapur se shqiptarët duhet të rrinin duarkryq, të pranonin vrasjen, përdhunimin dhe trajtimin çnjerëzor, sesa të guxonin të luftonin për mbijetesë dhe dinjitet”, ka shkruar Krasniqi.

Ai shton se historia nuk shkruhet nga ata që u përkulën, por nga ata që refuzuan nënshtrimin.

“Një pjesë e vogël e popullit shqiptar zgjodhi rezistencën si akt të fundit mbijetese, jo si zgjedhje politike, por si domosdoshmëri njerëzore. Sot, vetë ekzistenca jonë është dëshmia më e fuqishme se ajo luftë ishte e drejtë, e pashmangshme dhe legjitime”, u shpreh ai.

Lajme të ngjashme