Reagon dhëndri i Kadri Veselit që Kurti synoi ta shkarkonte: Krenar që isha në UÇK
Gazeta Nacionale raportoi sot se kryeministri Kurti kishte ndërhyrë për ta sharkuar nga ndërmarrja “Infrakos”, Arsim Deliun, ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e dhëndrin e familjes së Veselit, i cili që nga viti 2015 është sekretar i kompanisë.
Rreth kësaj çështje Deliu ka reaguar me një status të shkurtër në Facebook. Sipër shkrimit të gazetës Nacionale, Deliu pohoi se është krenar që ka qenë ushtar i UÇK-së.
“Jam krenar që kam lindur në kohën për tu rritur dhe për tu bërë ushtar i UÇK-së”, ka shkruar Deliu.
Sipas burimeve të Nacionales, Rizvanolli ka kërkuar disa herë që të shkarkohet Deliu, që është dhëndër i familjes së Kadri Veselit, ish-kryetarit të PDK-së.
"Edhe ministrja e ka kërkuar disa herë shkarkimin e Deliut dhe të tjerëve që llogariten njerëz të PDK-së", vijuan burimet.
Madje, ishte edhe vetë Kurti që ua kërkoi së paku një herë shkarkimin e Deliut, kjo gjatë një takimi me Bordin që tashmë ose janë dorëhequr ose shkarkuar.
