Rasti i gazit lotsjellës - Gykata e Apelit ua ul dënimin ish-deputetëve Haxhi Shala e Ismajl Kurteshi - NACIONALE

Rasti i gazit lotsjellës - Gykata e Apelit ua ul dënimin ish-deputetëve Haxhi Shala e Ismajl Kurteshi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata e Apelit, ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke ia ulur dënimin me kusht për 8 muaj ish-deputetëve Haxhi Shala dhe Ismajl Kurteshi, të cilët akuzoheshin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, në nëntor të 2015-ës.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se Gjykata e Apelit, ka ndryshuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë vetëm sa i përket dënimit me burg, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit të Apelit, Shalës e Kurteshit i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve (secilin veç e veç), i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse të njëjtit nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej 1 viti.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 31 dhjetor 2021 kishte shpallur fajtor ish-deputetët Shala e Kurteshi, duke i dënuar me nga një vit burgim me kusht (secilin veç e veç), i cili dënim nuk të ekzekutohej nëse brenda periudhës prej 2 viteve të njëjtit nuk kryenin vepër tjetër penale.

Kundër këtij aktgjykimi, ankesë kishin ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Kurteshi avokatja Teuta Zhinipotoku dhe mbrojtësi i të akuzuarit Shala avokati Naser Sopjani për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Avokatja Zhinipotoku i kishte propozuar Apelit që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të ndryshohet ashtu që i mbrojturi i saj të lirohet nga akuza ose çështja të kthehet në rivendosje.

Edhe avokati Sopjani kishte propozuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Prokurori i Apelit, kishte propozuar që të refuzohen si të pa bazuara ankesat e mbrojtësve Zhinipotoku e Sopjani ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

Mirëpo, Apeli ka vlerësuar se pretendimet ankimore të mbrojtësve sa i përket një dënimi më të butë janë pjesërisht të bazuara.

Në vendim thuhet se, gjykata e shkallës së parë, me rastin e matjes së llojit dhe lartësisë së dënimit nuk i ka vlerësuar të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese konform nenit 69-70 të KPRK-së.

Lajme të ngjashme