Rashiti: Vizita e Hamzës në Amerikë është zhvillim i ri, Carpenter është njeri shumë i afërt me Biden
Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë e konsideron zhvillim të ri vizitën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rashiti thotë se tensionet në veri ose marrëdhëniet e Qeverisë së Kosovës, institucioneve të Kosovës, me SHBA-në dhe QUINT-in, kanë shkuar larg, ndërsa vlerëson se Kosova, nga moskoordinimi me aleatët e saj po dëmtohet shumë në rrafshin ndërkombëtar.
“Ky është një zhvillim i ri. Ka kohë që nuk ka pasur vizita dhe takime të tilla të nivelit, për shkak të një marrëdhënieje të tensionuar të institucioneve të Kosovës me administratën (Joe) Biden. Veçanërisht, është si zhvillim i ri për faktin që është lider i opozitës që takohet në Shtëpinë e Bardhë dhe nuk ndodh shpesh. Dhe, e dyta është, jam i bindur, që ka lidhje me Mitrovicën, urën dhe ka ose është bërë një përpjekje për ndonjë simbolikë në raport me zhvillimet në Mitrovicë. Por, pjesë tjera (të vizitës) nuk i dimë. Zyrtari i lartë amerikan, Carpenter, ka qenë ambasador i SHBA-së në OSBE, është njeri shumë i afërt i Bidenit. Dhe, natyrisht, se është një zyrtar shumë i lartë i SHBA-së sa u përket çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve me BE-në, me Evropën dhe Euroazinë”, tha ai.
“Nuk i dimë detajet, nuk i di detajet. Nuk mund ta themi në këtë fazë që [takimi] mund të jetë një mbështetje politike për z.Hamza. Por, vizita dhe hapja e derës është me rëndësi. Përndryshe, detajet se çka do të rrjedhë [nga ky takim] nuk i di. Është vështirë të shohim dhe të paragjykojmë tash se çka do të jenë pasojat ose qëllimet e takimit. Besoj që z. Hamza do t’i shpjegojë më së miri, apo vetë administrate”, deklaroi Rashiti.