Rashiq takon ambasadorin francez, flasin për nevojën e formimit sa më të shpejtë të qeverisë së re
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, sot ka pritur në takim ambasadorin francez në Kosovë, Olivier Guerot, ku kanë diskutuar për shumë çështje.
Në njoftimin për media të ministrisë është thënë se në takim ata kanë theksuar nevojën ata kanë diskutuar për formimin sa më të shpejtë të një qeverie të fortë dhe stabile.
“Theks i veçantë u vu në bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet Ambasadës Franceze në Kosovë dhe Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, ku të dyja palët shprehën gatishmërinë e tyre për zhvillimin e mëtutjeshëm të projekteve të përbashkëta. Diskutimi u fokusua në mundësitë për përmirësimin e kushteve të jetesës së të kthyerve dhe pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë përmes fuqizimit ekonomik. U theksua nevoja për formimin sa më të shpejtë të një qeverie të fortë dhe stabile, e cila si një nga prioritetet e saj do ta ketë zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme të lidhura përmes dialogut të Brukselit dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, është thënë në njoftimin e ministrisë.