Rashiq nuk sheh 'shpresa' për t’u zgjedhur Nënkryetar: Aktgjykimi i paqartë, zgjedhjet janë afër
Deputeti Nenad Rashiq, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ngërçin në Kuvendin e Kosovës, ku ende nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e Listës Serbe.
Gjykata Kushtetuese vendosi që Kuvendi duhet të konstituohet plotësisht brenda 12 ditësh, duke përfshirë edhe zgjedhjen e nënkryetarit nga komunitetet jo-shumicë, siç parashihet në Kushtetutë.
Megjithatë, Rashiq shprehu dyshime për qartësinë e këtij aktvendimi, sidomos në lidhje me të drejtën e subjekteve të tjera për të kandiduar.
“Ky aktvendim i Gjykatës Kushtetuese nuk është krejt i kompletuar. Nuk e kam parë që është krejt i qartë, në veçanti për Listën Serbe, sepse nuk ceket në asnjë vend a do të mundësohet ose jo një kandidim tjetër përveç listës më të madhe, që është Lista Serbe”, deklaroi Rashiq në Tëvë1.
I pyetur nëse do të rikandidojë për postin e nënkryetarit dhe nëse do të mund t’i sigurojë votat e nevojshme, ai u shfaq skeptik:
“Sinqerisht, nuk e di a do t’i marr ato pesë votat. Kësaj here nuk kam shpresë.”
Rashiq komentoi edhe për mosvotimin e tij në seancën e kaluar, duke theksuar se ky veprim nuk përbën shkelje kushtetuese.
“Unë, siç e kam pasur argumentin edhe më herët, besoj që votimi i tillë nuk është kundër Kushtetutës. Edhe ky vendim i Gjykatës nuk thotë që ka qenë kundër Kushtetutës. Nuk hyj në detaje nëse ka qenë kundër rregullave për ndarjen, por një votim i tillë nuk është i paligjshëm”, tha ai.
Në fund, ministri nuk e përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të reja:
“Unë mendoj 80% është e sigurt që do të shkojmë në zgjedhje”, përfundoi Rashiq.