Raportohet se Ukraina ka sulmuar një urë të rëndësishme në Kherson
Në rajonin e pushtuar nga rusët në jug të Ukrainës, Kherson, ka raportime të shumta, por ende të pavërtetuara, se forcat ukrainase po kryejnë sulme ndaj urës me rëndësi strategjike, “Antonivskiy”, që kalon mbi Lumin Dnieper.
“Shpërthime në zonën e Urës Antonivskiy”, thanë forcat e armatosura ukrainase përmes një postimi në rrjetin “Telegram” para mesnatës. Në postim u publikua edhe një video ku shihej një varg sulmesh.
Mediumi ukrainas, “Kyiv Post”, raportoi se ura është shkatërruar nga ushtria ukrainase, ndonëse theksoi se për këtë ngjarje është duke e pritur konfirmimin zyrtar.
Këshilltari presidencial ukrainas, Anton Herashchenko, tha se sistemet HIMARS i kanë dhënë një goditje tjetër të fuqishme njërës nga dy urat e Lumit Dnieper, që, sipas tij, përdoren nga pushtuesit për transferim masiv të trupave.