Antimafia italiane: Shqiptarët janë në gjendje të lëvizin drogën nga Amerika Latine në Evropë
Një raport i antimafias italiane thotë se shqiptarët janë në gjendje të lëvizin sasi të mëdha kokane dhe heroine nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Në raportin e dorëzuar në senatin italian për vitin 2021, theksohet se grupe kriminale shqiptare, përdorin lidhjet me banda të tjera kryesisht në Holandë, Belgjikë, Gjermani, Austri, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Amerikën Qendrore dhe Jugore, por edhe në Shqipëri, transmeton lapsi.al.
Në raportin voluminoz prej rreth 500 faqe, antimafia italiane ka zbërthyer veprimtarinë kriminale të bandave shqiptare të drogës. Aty thuhet se shqiptarët kanë arritur ta gjejnë gjuhën e bashkëpunimit të ngushtë me mafian italiane. Në menaxhimin dhe trafikun e drogës janë të përfshira edhe bandat kriminale shqiptare. Nga deti kalojnë ngarkesave të mëdha të marijuanës, vend prodhues i të cilave është Shqipëria.
Raporti vë theksin se lidhjet zakonisht bazohen në raporte familjare ose origjinës, për shkak se u bëhet më e lehtë duke qenë se përdorin të njëjtat kode të komunikimit si edhe një sjellje të njëjtë. Krimi shqiptar është aktiv edhe në trafikun e armëve, të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të prostitucionit, pasi në disa raste veprojnë në marrëveshje funksionale me fraksione të tjera kriminale.
