Rama reagon për vdekjen e Kissinger: Lamtumirë bos
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas vdekjes së ish-sekretarit amerikan, Henry Kissinger.
Rama postimin e tij në Facebook, e ka filluar me fjalët “Lamtumirë bos”.
“Mua personalisht do të më mbetet edhe mirënjohja për kohën e çmuar që më kushtuat bujarisht, duke më dhuruar një ndër bisedat më të bukura që mbaj mend.” – ka shkruar mes tjerash ai.
Postimi i plotë:
LAMTUMIRË BOS
Librat Tuaj i mbeten njerëzimit si pasuria e paçmueshme e një eksperience dhe urtësie të rrallë, e do të jenë në dispozicion të kujtdo sot e gjithmonë, që do të dojë të aftësohet mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe gjeopolitikën; balancat mes fuqive dhe realizmin politik në ruajtjen e paqes e në projektimin e rrugëdaljeve nga konfliktet ndërshtetërore; të menduarit strategjik dhe perspektivën afatgjatë të politikës së jashtme; rolin e shkencës joekzakte të historisë dhe rëndësinë e talentit të individit kur duhen marrë vendime përballë mjegullës së të nesërmes… Mua personalisht do të më mbetet edhe mirënjohja për kohën e çmuar që më kushtuat bujarisht, duke më dhuruar një ndër bisedat më të bukura që mbaj mend.
U prehshi në paqe Dr.Kissinger