Rama për protestat: Nuk janë si ato të qershorit, sot janë përfshirë parti opozitare dhe grupe ekstremiste
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit në vend, duke thënë se ato nuk janë të njëjta me protestat e qershorit.
Në një intervistë për median britanike “UnHerd”, Rama tha se në protestat e fundit janë përfshirë më shumë parti politike dhe grupe opozitare, përfshirë edhe forca të ekstremit të majtë dhe të djathtë.
Pavarësisht tensioneve, kryeministri tha se është “shumë krenar” që protestat kanë vijuar për ditë me radhë në mënyrë kryesisht paqësore.
Sipas Ramës, fakti që qytetarët mund të protestojnë në bulevard pa u penguar tregon se Shqipëria po sillet si një vend normal evropian, ku protestat janë pjesë e jetës demokratike.
“Protestat e sotme nuk janë protestat e qershorit, kështu që njerëzit që folën sot janë të ndryshëm. Ata janë të angazhuar në parti politike. Ata janë të angazhuar në parti opozitare, parti të vogla opozitare, të majtë nga ekstremi dhe të djathtë nga ekstremi”, tha Rama.
Ai shtoi se protestat e qershorit ishin ndryshe dhe më të mëdha, duke pretenduar se në to morën pjesë edhe shumë qytetarë që kishin votuar për Partinë Socialiste.
“Sidoqoftë, jam shumë, shumë krenar që kemi pasur një protestë kaq të madhe për ditë të tëra në një mënyrë shumë paqësore, dhe se askush nuk u lëndua, askush nuk u ndalua të bënte atë që donte. Në fund të fundit, kjo protestë tregon një vend që është si një vend normal evropian ku ka protesta”, u shpreh kryeministri shqiptar.