Rama pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja: Kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, duke e cilësuar ngjarjen si një akt kriminal tronditës që kërkon reflektim të thellë institucional dhe përgjigje të ashpër ligjore.
Në një reagim në X, Rama shprehu ngushëllime për familjen e gjyqtarit të ndjerë, duke theksuar se “agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit. “
Kryeministri shtoi se kjo tragjedi duhet të shërbejë si një thirrje urgjente për rishikimin e sistemit të sigurisë në gjykata, i cili sipas tij nuk mund të mbetet vetëm përgjegjësi e administratës gjyqësore, por duhet të përfshijë në mënyrë të drejtpërdrejtë Policinë e Shtetit, duke garantuar njëkohësisht pavarësinë e gjyqësorit.
“Por kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje e punonjësve të sigurisë nga administrata e gjykatës, duke përjashtuar çdo përfshirje të Policisë së Shtetit - në emër të pavarësisë së gjyqësorit! Ndërkohë, kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme! Lutem gjithashtu që ky moment kaq tronditës të nxisë edhe një reflektim për lehtësinë me të cilën trajtohet rëndom armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësore.” – tha Rama ndër të tjera.
Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe🙏
— Edi Rama (@ediramaal) October 6, 2025
Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit.
Por kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të…