Rama akuzon Qeverinë në detyrë për bllokim të projekteve në Prishtinë: Ku kanë mujtë, s’e kanë humbë mundësinë
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë në detyrë dhe konkretisht Ministrinë e Kulturës për pengimin e projekteve të rëndësishme në kryeqytet.
Rama tha se ekipi i tij është duke vazhduar me realizimin e projekteve në ato zona ku ndërhyrja e nivelit qendror nuk ka mundur të ndalojë punimet.
Sipas tij, pavarësisht pengesave, Komuna po arrin të realizojë një sërë investimesh në pjesë të ndryshme të Prishtinës.
“Përkundër faktit që ne jemi duku punuar nëpër të gjitha pjesët e kryeqytetit edhe jemi duke i vazhduar punët aty ku s’mundet me blloku Qeveria, d.m.th. nëpër të gjitha pjesët e kryeqytetit shihni punë të mdhaja që janë duke u kry, mirëpo aty ku kanë mujtë me blloku nuk e kanë humb mundësinë për me blloku, duke fillu prej Unazës së Kryeqytetit.” – tha Rama në "Debat Plus" në RTV Dukagjini.
Rama ka paralajmëruar masa ligjore kundër disa ministrave në detyrë të Qeverisë që, sipas tij, po pengojnë zbatimin e projekteve infrastrukturore në kryeqytet.
Ai tha se ka kërkuar ballafaqim publik edhe me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, për të diskutuar për projektet që janë bllokuar nga ky dikaster, por ftesa e tij ka mbetur pa përgjigje.