Rakiq: Nuk e njohim Kosovën, presidenti ynë Vuçiq do të gjejë një zgjidhje - NACIONALE

Rakiq: Nuk e njohim Kosovën, presidenti ynë Vuçiq do të gjejë një zgjidhje

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Para takimit të ardhshëm të Vuçiqit me Kurtin në Bruksel, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe drejtorin e të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovë, Peter Petkoviq si dhe kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, mbajtën një konferencë për media në ndërtesën e Qeverisë së Serbisë në Beograd.

I pari që iu drejtua mediave ishte Rakiq, i cili zbuloi se së bashku me kryetarët e komunave nga veriu është takuar me ambasadorët e vendeve të KUINT-it.

Ai ka thënë se ka pasur një marrëveshje, me sugjerim dhe iniciativë të ambasadorëve të KUINT-it që takimi të mos jetë i hapur për publikun dhe të mos bëhet asnjë njoftim për këtë.

Ai ka thënë se takimi ka zgjatur më shumë se dy orë, dhe kryetarët i kanë njoftuar ambasadorët për problemet që kanë, secili në komunat e tyre.

“Thonë se Prishtina e ka bërë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe se gjithçka është dakorduar, ne nuk jemi pajtuar me ta dhe kemi thënë se kjo nuk është dakorduar me marrëveshjen e Brukselit”, pretendon Rakiq, transmeton Paparaci.

Ai gjithashtu ka thënë se përfaqësuesit e KUINT-t u bënë thirrje atyre që të pranojnë realitetin.

“Ata na bëjnë thirrje që, si ne ashtu edhe serbët në veri ta pranojmë realitetin në terren – që Kosova është e pavarur. Asnjë serb nuk e njeh dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka pretenduar Rakiq i cili e mban pozitën e ministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës ku edhe e merr pagën.

Rakiq ka pretenduar se veprimet e njëanshme të Kosovës ngjallin reagime nga serbët, por ai gjithashtu ka thënë se “të drejtat e fituara të serbëve” nuk mund t’i hiqen askund në botë përveçse në mënyrë të paligjshme dhe me dhunë.

“Do të nënvizoj edhe një herë. Serbët e veriut nuk do ta pranojnë kurrë, nuk do ta mbështesin kurrë. Ata nuk njohin as vendimet e tyre të njëanshme dhe as pavarësinë e tyre. E vetmja gjë në të cilën ata besojnë është se një zgjidhje do të gjendet në Bruksel dhe se presidenti Vuçiq do të gjejë një zgjidhje për ne që jetojmë atje”, shpreson Rakiq.

Edhe kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës janë shprehur qartë se nuk do t’i pranojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës në lidhje me targat dhe letërnjoftimet që pritet të jetësohet më 1 shtator.

Lajme të ngjashme