Qorrolli thotë se Komisioni i Venecias ka miratuar tri opinione për projektligje të reformës në drejtësi - NACIONALE

Qorrolli thotë se Komisioni i Venecias ka miratuar tri opinione për projektligje të reformës në drejtësi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka njoftuar se Komisioni i Venecias të premten ka miratuar tri opinione ligjore për projektligje të reformës në drejtësi në Kosovë.

“Ky miratim nuk është thjesht një hap procedural, është një fitore politike, juridike dhe morale për qytetarët e Republikës së Kosovës. Reforma në drejtësi nuk është luks dhe as thjesht një domosdoshmëri teknike, është themeli mbi të cilin ndërtohet një shoqëri e drejtë dhe e lirë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka shkruar edhe për projektligjet e miratuara.

“Projektligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës: garanton një gjyqësor të pavarur dhe të mbrojtur nga ndërhyrjet politike dhe ekonomike; Projektligji për Akademinë e Drejtësisë: krijon themelin për një sistem profesionalizmi dhe përgjegjshmërie në përgatitjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve; Projektligji për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve: forcon parimin e meritokracisë dhe ndëshkon çdo formë të abuzimit dhe korrupsionit në sistemin e drejtësisë; Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve: vendos një mekanizëm të qartë dhe efikas për mbajtjen e sistemit të drejtësisë në standardet më të larta të etikës dhe profesionalizmit”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme