Qeveria fillon procedurat për aplikimin e Kosovës në BE
Kominsioni Ekzekutiv për antarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian ka miratuar qëndrimin zyrtar për aplikim në BE para fundit të këtij viti.
Ky takim u mbajt nën kryesimin e Kryeministrit Albin Kurti ku u diskutua për situatën dhe zhvillimet tjera relevante siç njofton kryeministria.
“Komisioni konfirmoi përkushtimin dhe orientimin e vendit për integrim evropian dhe miratoi qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës për aplikim në Bashkimin Evropian para fundit të këtij viti. Në takim u tha se Kosova ka për qëllim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe se këtë e ka dëshmuar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit tash e gjashtë vjet, Agjendës për Reforma Evropiane, bashkëpunimin rajonal dhe pjesëmarrjen në programe të BE-së dhe formateve të ndryshme brenda saj”, thuhet në njoftim.
Poashtu, u bë e ditur se anëtarët e komisionit diskutuan hapat e radhës të institucioneve vartëse deri te dorëzimi i aplikimit.
Ky komision ishte themeluar në mbledhjen e 94-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe funksionon si mekanizëm ndër-institucional, përgjegjës për përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
