Qalaj: Policia sot ka nevojë për kushte më të mira pune, paga dinjitoze dhe trajnime profesionale - NACIONALE

Qalaj: Policia sot ka nevojë për kushte më të mira pune, paga dinjitoze dhe trajnime profesionale

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, i cili dikur ka qenë drejtori i Policisë së Kosovës, ka lavdëruar zyrtarët policorë.

Në 26-vjeotirn e themelimit të këtij institucioni, ai ka vlerësuar se policia është populli dhe populli është policia.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se policia sot ka nevojë më se shumti për mbështetje institucionale.

“Sot shënojmë 26-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës. Policia është Populli, Populli është Policia. Motoja “Të mbrosh e të shërbesh” është mishërimi i misionit të saj. Gjithmonë të gatshëm në krye të detyrës, të palodhur e të patrembur, policët dhe policet tona me uniformën blu janë krenaria e Kosovës. Ata shërbejnë me profesionalizëm e disiplinë, pa kursyer as jetën në mbrojtje të qytetarëve dhe të atdheut tonë të dashur. Por sot më shumë se kurrë, Policia jonë ka nevojë për mbështetjen tonë dhe të institucioneve: për kushte më të mira pune, paga dinjitoze, trajnime profesionale, pajisje moderne, sigurim shëndetësor e jetësor. Ka nevojë për një lidership të guximshëm e me integritet që mbron interesin e policëve dhe integritetin institucional të kësaj force”, ka shkruar ai, duke shtuar se gabimet eventuale duhet të trajtohen me paanshmëri.

“Gabimet individuale duhet të trajtohen me paanshmëri e vendosmëri, por nuk duhet harruar kurrë se shumica dërrmuese e policëve dhe policeve tona kryejnë akte heroike çdo ditë – duke mbrojtur rendin, sigurinë dhe lirinë që u fitua me gjakun e Dëshmorëve të kombit dhe sakrificën e UÇK-së. Jam krenar që isha pjesë e Policisë së Kosovës për 20 vite, dhe që pata fatin ta drejtoj atë për një kohë të caktuar si Drejtor i Përgjithshëm. Urime ditëlindja e 26-të, Policia e Kosovës!”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme