Qalaj: PDK-ja është dashur të jetë më agresive në fushatë
Kandidati i PDK-së për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Rashit Qalaj, ka bërë me dije se kjo parti është dashur të jetë më agresive ndaj pushtetit.
Duke e komentuar fushatën e PDK-së në këto zgjedhje, ai ka thënë se janë treguar të kujdesshëm në gjuhë.
Në emisionin “Debat Plus”, ai ka thënë se PDK-ja duhet të reflektojë.
“Mendoj që populli i Kosovës ende nuk është duke e perceptuar mënyrën e fushatës. Ju e keni parë që bërë një fushatë që ka bërë thirrje unitet, bashkëpunim, partneritetet. Për të mirën e Kosovës. Kemi përdoru një gjuhë shumë të kujdesshme ndaj oponentëve politik, jo vetëm tash por edhe në fushatën e kaluar. Dhe po ashtu kemi qenë të kujdesshme që mos ta ofendojmë askënd”, ka thënë ai, duke dhënë detaje të tjera.
“Por realisht fatkeqësisht, mendoj që është dashur të jemi më agresiv, më dinamik, më të prerë në çështje. PDK-ja edhe pse është herët për të bërë analiza, duhet të reflektojmë, të shkojmë në zgjedhje të brendshme sa më shpejt që është mundshme. Këtu është defekti kryesore, se struktura tona, e kam fjalën që nga nëndegët deri te kryesia qendrore, nuk kemi mbajtur zgjedhje të brendshme që 4 vite. Kemi nevojë për rifreskim”, është shprehur Qalaj.