Qalaj dhe Elezi: '' Dorëheqja e policëve shkak i kushteve jo të mira të punës'' - NACIONALE

Qalaj dhe Elezi: '' Dorëheqja e policëve shkak i kushteve jo të mira të punës''

3 vjet më parë

nga Rea Sefa

Rashit Qalaj, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, foli për kushtet e këtij institucioni, duke thënë se ka nevojë për policë të rinj në Kosovë.

Ai shtoi se çdo gjeneratë e re që vjen, do të ndikojë në energji dhe në shërbime sa më efikase në aspektin e sigurisë.

“Unë mendoj që Policia e Kosovës ka nevojë për policë, ka nevojë për gjenerata të reja, Policia e Kosovës e ka numrin e caktuar, pra numrin tavan nga Qeveria e Kosovës dhe sigurisht që nëse është hapur konkursi qëllimi është që të përmbushet numri, i cili duhet të jetë në Policinë e Kosovës dhe unë mendoj që çdo gjeneratë e re që i vije Policisë së Kosovës ndikon shumë në elanin, në energji dhe në shërbime sa më efikase në aspektin e sigurisë”- tha Qalaj për Ekonomia Online.

Ai gjithashtu foli edhe për dorëheqjet e zyrtarëve policorë, duke thënë se po bëhen për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, dhe kushteve të punës, duke shtuar se është një gjendje mjaft e keqe.

“Po nga informatat që unë posedoj dorëheqjet janë kryesisht në gjendjen e rëndë ekonomike, dhe kushtet e punës. Ju e dini që Policia është lënë pas dore nuk ka ndonjë stimulim financiar, nuk ka pajisje të mirëfillta, nuk ka përmirësim të kushteve të punës, pra është në një gjendje mjaft të keqe”- shtoi Qalaj.

Lidhur me këtë çështje foli edhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi. Ai tha se Kosova duhet të organizojë trajnime lidhur me kibernetikën.

“Aktualisht kujtoj se Policia e Kosovës është mirë e strukturuar ka të gjitha departamentet e saj, por të jemi të sinqertë, tek pjesa e njësive të veçanta kujtoj se ndoshta ka akoma nevoja që Kosova të organizojë domethënë shkollime të ndryshme për njësi të veçanta të Policisë së Kosovës, sidomos njësitë që janë kundër krimeve kibernetike, e keni parë që edhe në Kosovë ka vepra të tilla, të ndaluara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, në çështjet e kibernetikës’’- tha Elezi.

Ai kujtoi alamet e rrejshme për bomba në Aeroportin e Prishtinës, të pasakta, por që kanë shkaktuar dëme të rënda ekonomike.

‘’Si ashtu ka edhe kanosje të sigurisë kombëtare që mund të vijnë nga struktura të caktuara jashtë kufirit të Kosovës, sidomos nëse e marrim faktin parasysh se kemi pasur disa alarme të rrejshme me bomba në Aeroportin e Prishtinës me çka kanë rezultuar të pasakta por që kanë shkaktuar dëme ekonomike serioze në ekonominë e Kosovës’’- shtoi Elezi.

Disa nga arsyet që sipas tij po çojë drejt dorëheqjes së zyrtarëve policorë, janë sigurimi shëndetësor, pagesa, mos-siguria juridike e ekonomike dhe të tjera.

‘’Dukuria e largimit të zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga institucionet e sigurisë, përkatësisht Policia e Kosovës është vërtetë shqetësuese dhe sigurisht se gjithë kjo po bëhet si rezultat i një keqmenaxhimi me Policinë e Kosovës, një mossiguri juridike dhe ekonomike e zyrtarit të Policisë së Kosovës si dhe shumë çështje të tjera, siç është sigurimi shëndetësor e çështja e pagesës së merituar’’- tha Elezi.

Sipas tij ky është një shqetësim serioz, sepse kërkon një kosto të lartë ekonomike për të trajnuar një polic. Ai shton se dorëheqja e policëve dëmton buxhetin e Kosovës, taksat e qytetarëve të cilët do të paguajnë gjithë shkollimin e zyrtarëve, dhe do të ketë mungesë të profesionalistëve.

‘’Kjo është një shqetësim serioz sepse nëse marrim në konsideratë koston ekonomike që i kushton shtetit për të nxjerrë, për të trajnuar një polic, kujtojmë se kemi dy probleme serioze, e para kemi në dëmtim të buxhetit të Republikës së Kosovës, përkatësisht taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilët do të paguajnë gjithë shkollimin e këtyre zyrtarëve policor dhe e dyta do të kemi mungesë të profesionalistëve, të cilët më të vërtetë për një kohë të caktuar nëse punojnë në Policinë e Kosovës, ata do të kenë mjaftueshëm përvojën dhe profesionalizmin e tyre për të dhënë kontribut në Policinë e Kosovës”- tha Elezi.

Lajme të ngjashme