Pyetjet orientuese për dëshmitarët në Hagë, avokati Bajraktari: Shkeljet po konfirmohen edhe nga Trendafilova
Pas raportimit të gazetës Nacionale për pyetjet orientuese të gjyqtarëve të Hagës ndaj dëshmitarëve, ka reaguar edhe avokati Ardian Bajraktari.
Ai ka bërë me dije se edhe Kryetarja e Gjykatës Speciale në Hagë, Ekaterina Trendafilova, në konferencën e fundit për media, ka treguar se pyetjet e tilla janë të ndaluara.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se procesi ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po shoqërohet me mangësi të mëdha.
“Trendafilova lë të kuptohet se procesi në Hagë është i komprometuar dhe me shkelje. Me argumente, gradualisht po konfirmohen bindjet dhe supozimet në opinionin e gjerë vendor se prokuroria u shërbye me një mori deklaratash të fabrikuara në Serbi e të mbështetura nga Rusia për të cenuar luftën e drejtë të UÇK-së. Procesi po përcillet me shumë shkelje dhe lirimi i krerëve të UÇK-së mbetet opcion real, mbase i vetëm. Për këtë evidentim të shkeljeve në Hagë, pos mbrojtjes, meritë kanë edhe mediat të cilat e kanë problematizuar mungesën e fakteve, fjalorin, terminologjinë dhe shprehjet e pazakonta në praktikën gjyqësore. Procesi ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u shoqërua me mangësi, pos me mungesë të transparencës, është proces i stërzgjatur, e vërtetë kjo e konfirmuar nga vet gjykata”, ka shkruar Bajraktari.
Më tej, ai ka përmendur edhe shkeljet tjera që e kanë përcjell procesin në Hagë.
“Tashmë po konfirmohet se është shoqëruar edhe me mangësi të tjera, siç është rasti me pyetje orientuese dhe sugjestive për dëshmitarët, pra, me pyetje të ndaluara. E kemi paralajmëruar që është përgjegjësi e Gjykatës, Trupit gjykues të përkujdeset që procesi të rrjedhë brenda standardeve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi. Shkeljet përgjatë procesit tashmë, në një farë forme po konfirmohen edhe nga Kryetarja e Gjykatës. Po ashtu është e qartë se edhe sa i përket paraburgimit, është i stërzgjatur dhe pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarëve të Prokurorisë, nuk ekziston as edhe një kusht i vetëm ligjor që të njëjtit të vazhdojnë së qëndruari në paraburgim. Prandaj, aktgjykimi lirues dhe ri konfirmimi i pastërtisë së luftës së popullit të Kosovës për liri, do të jetë alternativa e vetme dhe epilogu i këtij procesi të padrejtë”, ka shkruar Bajraktari.