Putin: Rusia e gatshme të rifillojë furnizimin me gaz në BE përmes Nord Stream 2
Në fjalimin e tij në forumin ndërkombëtar të Javës Ruse të Energjisë, presidenti Vladimir Putin ka thënë se Rusia është e gatshme të rinisë furnizimet në Evropë përmes një lidhjeje të gazsjellësit Nord Stream 2 që mbetet funksionale.
Udhëheqësi rus tha se gazi mund të furnizohet ende nga një pjesë e paprekur e gazsjellësit Nord Stream 2, duke shtuar se vendimi i takon BE-së nëse do ta pranoj këtë furnizim ose jo.
“Rusia është e gatshme të fillojë furnizime të tilla. Topi është në fushën e BE-së. Nëse duan, ata thjesht mund të hapin rubinetin,” u shpreh Putin.
Ai vazhdoi duke thënë se Rusia nuk ka asnjë lidhje me çmimet e larta të energjisë me të cilat po përballen evropianët këtë dimër, dhe në vend të kësaj fajësoi Perëndimin për nxitjen e një krize globale energjetike.
