Psikologia për pasojat nga TikTok-u: Adoleshentët më të rrezikuarit, duhet ndërgjegjësim për shëndetin mendor - NACIONALE

Psikologia për pasojat nga TikTok-u: Adoleshentët më të rrezikuarit, duhet ndërgjegjësim për shëndetin mendor

1 vit më parë

nga NACIONALE

19 nxënëse u vetëlënduan gjatë kësaj jave nga një sfidë në rrjetin social shumë të përdorshëm në Kosovë, “TikTok”, siç raportoi Nacionale.

Në lidhje me këtë temë, Sabina Musliu, psikologe në Qendrën për Këshillim dhe Psikoterapi “Muhsin”, vlerëson se nga këto “sfida” të TikTok-ut “adoleshentët janë veçanërisht të rrezikuar”.

“Kur flasim për ndikimin e videove dhe sfidave të vetëlëndimit në platforma si TikTok, adoleshentët janë veçanërisht të rrezikuar. Hulumtimet dhe teoritë tregojnë se ata nuk e shikojnë thjesht këtë përmbajtje si spektatorë, por e marrin seriozisht atë që shohin, sidomos kur vjen nga persona me ndikim ose bashkëmoshatarë që i admirojnë. Adoleshentët që përballen me ankth, depresion ose vetëvlerësim të ulët janë më të prirur të ndjekin këto sjellje të dëmshme, pasi mund ta shohin vetëlëndimin si një mënyrë për të përballuar vështirësitë emocionale. Ata që kanë përjetuar traumë, bullizëm ose konflikt familjar janë në rrezik edhe më të madh” – ka thënë ajo.

Tutje, Musliu e vuri theksin tek nevoja për ndërgjegjësim rreth shëndetit mendor.

“Me sfidat që bëhen virale, pjesëmarrja në to mund të duket si një mënyrë për të fituar miratim ose për t’u ndjerë pjesë e një grupi online. Prandaj, është thelbësore të ndërhyhet sa më herët. Shkollat dhe prindërit duhet të zhvillojnë biseda dhe dikutime, të rrisin ndërgjegjësimin për shëndetin mendor dhe të sigurojnë që adoleshentët të kenë mbështetjen dhe burimet e duhura për të gjetur mënyra më të shëndetshme për t’u përballur me emocionet e tyre” – ka vlerësuar zonja Musliu për Nacionalen.

Lajme të ngjashme