19 nxënëse të vetëlënduara nga “sfida” e “TikTok”-ut, Qeveria në aksion “me video”: Çfarë duhet të bëjë Kosova?
Gjatë kësaj jave ndodhi një incident, ku nga një “sfidë” në rrjetin social “Tik Tok” u vetëlënduan të paktën 19 nxënëse të klasave fillore në Gjakovë. Një gjë e tillë i nxiti dy ministre të Qeverisë së Kosovës të alarmojnë për “rreziqet dhe pasojat” nga teknologjia te fëmijtë. Njohësit e arsimit kërkojnë angazhim të shtuar të shkollave e prindërve për të luftuar këtë dukuri, ndërsa vlerësohet se ka nevojë për “ndërgjegjësim për shëndetin mendor”.
Përveç konfirmimit nga ana e Policisë së Kosovës, alarmin për vetëlëndimin e nxënëseve e dha drejtoresha e Drejtorisë për Arsim në Gjakovë, Eranda Kumnova-Baci, e cila theksoi se tashmë kanë filluar takimet urgjente me prindër.
“Numrin e konfirmuar të rasteve e kemi 19-të…Kemi ndaluar rreptësishtë telefonat në objektet shkollore dhe do të vazhdojmë kontrollet pa u ndalur në shkolla” – ka thënë Kumnova-Baci.
Ndërgjegjësim...
Rinor Qehaja, drejtor ekzekutiv i institutit “EdGuard”, ka vlerësuar se për të luftuar këtë dukuri problematike duhet “reagim shumë të fuqishëm institucional”.
“Incidentet si ky i fundit meritojnë një vëmendje dhe reagim shumë të fuqishëm institucional, pasi po flasim për një problematikë të përshkallëzuar ndër vite, që ka të bëjë me ekspozimin në rritje të të rinjve, të përmbajtjeve të ndryshme në media dhe në platforma të ndryshme sociale. Ajo çka është e rëndësishme është një mobilizim proaktiv të institucioneve arsimore, i komunitetit lokal të shkollave në mënyrë që komuniteti, në këtë rast menaxhmeti i shkollave, mësimdhënësit, psikologut, prindërit, të identifikojnë, të përkrahin dhe të reagojnë karshi incidenteve si këto, në mënyrë që vetëdija e rritur brenda nxënësve të jetë ajo masa preventive, që i kufizon incidente si këto” – ka thënë eksperti Qehaja për Nacionalen.
Ndërsa Sabina Musliu, psikologe në Qendrën për Këshillim dhe Psikoterapi “Muhsin”, vlerëson se nga këto “sfida” të TikTok-ut “adoleshentët janë veçanërisht të rrezikuar”. Tutje, Musliu e vuri theksin tek nevoja për ndërgjegjësim rreth shëndetit mendor.
“Kur flasim për ndikimin e videove dhe sfidave të vetëlëndimit në platforma si TikTok, adoleshentët janë veçanërisht të rrezikuar. Hulumtimet dhe teoritë tregojnë se ata nuk e shikojnë thjesht këtë përmbajtje si spektatorë, por e marrin seriozisht atë që shohin, sidomos kur vjen nga persona me ndikim ose bashkëmoshatarë që i admirojnë. Adoleshentët që përballen me ankth, depresion ose vetëvlerësim të ulët janë më të prirur të ndjekin këto sjellje të dëmshme, pasi mund ta shohin vetëlëndimin si një mënyrë për të përballuar vështirësitë emocionale. Ata që kanë përjetuar traumë, bullizëm ose konflikt familjar janë në rrezik edhe më të madh. Me sfidat që bëhen virale, pjesëmarrja në to mund të duket si një mënyrë për të fituar miratim ose për t’u ndjerë pjesë e një grupi online. Prandaj, është thelbësore të ndërhyhet sa më herët. Shkollat dhe prindërit duhet të zhvillojnë biseda dhe dikutime, të rrisin ndërgjegjësimin për shëndetin mendor dhe të sigurojnë që adoleshentët të kenë mbështetjen dhe burimet e duhura për të gjetur mënyra më të shëndetshme për t’u përballur me emocionet e tyre” – ka vlerësuar zonja Musliu për Nacionalen.
Shteti në aksion…me video
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, publikuan së bashku një video në lidhje me ndikimet e rrezikshme të teknologjisë te të rinjtë. Nagavci kërkoi “kujdes të shtuar” dhe angazhim të përbashkët për shmangien e rreziqeve nga tekonologjia te fëmijët.
“Mësimdhënës të dashur, vazhdoni që t’i mësoni dhe udhëzoni fëmijët që ta përdorin internetin në mënyrë të dobishme e të përgjegjshme” – tha Nagavci.
Në të njëjtën logjike të argumentimit ishte edhe Haxhiu, e cila i këshilloi prindërit që të jenë të vëmendshëm.
“Si ministre e Drejtësisë, por edhe si nënë, ju bëj thirrje të jeni të vëmendshëm ndaj përmbajtjeve që fëmijët shikojnë në internet” – tha Haxhiu.
Sjellim ndër mend që gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka ndaluar përdorimin e “TikTok”-ut në të gjitha institucionet publike.
-------------------------------
"Nëse ju ose dikush që njihni po përjeton një krizë, po përballet me sfida të shëndetit mendor,ose është viktimë e dhunës ose abuzimit në familje, ndihma është e disponueshme. Kontaktoni Linjën e Jetës në numrin 0800 12345, Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në 044 425 111 për mbështetje ose policinë në 192."