PSD: VV intervenoi politikisht përmes Policisë së Kosovës, fikën kamerat dhe nuk njoftuan mediat - NACIONALE

PSD: VV intervenoi politikisht përmes Policisë së Kosovës, fikën kamerat dhe nuk njoftuan mediat

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një konferencë të thirrur për media nga partia e tij, ka akuzuar pushtetin se ka kapur Policinë e Kosovës.

Molliqaj tha se ka prova se gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në një ndërmarrje publike banesore, janë shkyçur kamerat dhunshëm për 55 minuta.

I pari i PSD-së ka pyetur se policia a ka shkuar ta zë krimin apo të vendosë prova? Sipas tij, policia gjatë atij intervenimi ka mundur të çojë dokumente, drogë, ose edhe bombë.

Pos kësaj parregullsie, Molliqaj fajëson VV-në se ka gisht në këtë aksion, meqë sipas tij, aksioni ka nisur nga burri i asistentes personale të kryeministrit të Kosovës.

“Para tri dite, Policia merr një urdhër nga Gjykata Themelor për kontroll në ndërmarrje publike banesore. Policia zbarkon pa prezencën e mediave, tash katër ditë mbetet i vetmi aksion policor i bastisjes në institucionet publike nuk ka marr një njoftim, pra policia nuk ka njoftu. Për tri orë qëndrohet në ndërmarrje banesore, rreth 55 minuta i fikin kamerat e sigurisë, në të njëjtën kohë në kundërshtim me dispozitat e Kodit Penal. A ka shku policia me nxan krimin, apo me vendos prova?” – tha Molliqaj.

“Ne i bëjmë thirrje sot cili është vendimi që i ka leju atyre me i ndal kamerat. Është hera e parë që Policia e Kosovës bën shkelje të tilla” – ka thënë Molliqaj.

“Ky është intervenim politik. Pyetja është, a ka çu policia dokumente, a ka çu drogë apo bombë?”.

“Për të na e konfirmuar gjithë këtë, ky proces nis nga burri i asistentes personale i kryeministrit të Kosovës. Pastaj zinxhiri, pas burrit të asistentes, kemi pasur reagim të Vetëvendosjes. Sot për të na e konfirmuar këtë, pasi që ju jeni ftuar nga dje, VV-ja tani doli për t’ia bërë mbrojtjen intervenimit policor, të alarmuar nga ajo se çka kanë bërë, në vend se të reagojnë institucionet publike, del partia në konferencë për media. Ne kërkojmë hetim të menjëhershëm të këtyre veprimeve policore” – tha Molliqaj.