Profesori nga Luksemburgu: Ngjarjet në veri artificale - kthimi i serbëve do të shitet si fitore në dialog
Profesori i Universitetit të Grazit dhe eksperti i çështjeve të Ballkanit, Florian Bieber ka thënë se Serbia e ka tensionuar situatën në veri për ta shmangur planin franko-gjerman, që është de-facto njohje e Kosovës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Bieber tha se kriza e shkaktuar nga braktisja e institucionëve nga serbët është krizë artificiale.
Tutje, Bieber, ka thënë se Serbia do t’a paraqesë kthimin e serbëve në institucione të Kosovës si kompromis.
“Është pjesë e lojës deri diku, konflikti në të cilin jemi tani. Dhe është një krizë artificiale, siç e dimë, ndodh rregullisht në rajon dhe gjithçka varet nga vullneti i liderëve politikë, veçanërisht në Serbi. Unë mendoj se lëvizja që (serbët) po tërhiqen nga institucionet e Kosovës është një lëvizje mjaft ekstreme dhe më duket se është pjesë e negociatave, sepse kështu negociohet, krijohet një krizë edhe më e madhe dhe pastaj qetësohet dhe pastaj bëhet pjesë e marrëveshjes. Pra, Serbia do t’ua shesë kthimin institucioneve të Kosovës si kompromis”, ka thënë Bieber.
E sot në një tjetër intervistë për Zërin e Amerikës, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka ripërsëritur atë se Kosova duhet t’i përfillë kërkesat perëndimore për çështjen e targave dhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërkohë që Serbisë i është bërë e qartë se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës është e padobishme.
“Ne kemi qenë shumë të qartë dhe të hapur se çfarë presim nga të dyja palët. Nga pala e Kosovës kemi kërkuar një periudhë njëvjeçare të zbatimit për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë. Nga pikëpamja jonë dhe ajo e partnerëve të Quintit, kjo është një kërkesë dhe ne do të ngulim këmbë. Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë”, tha ai.