Presidenti më jetëgjatë në botë rifiton zgjedhjet, vazhdon sundimin 43 vjeçar
Presidenti më jetëgjatë në botë ka rifituar zgjedhjet në Guinenë Ekuatoriale për të vazhduar të kryesojë regjimin e tij autoritar, tashmë 43 vjeçar.
Bëhet e ditur se, Teodoro Obiang Nguema Mbasogo, 80 vjeçar, ka siguruar pothuajse 95% të votave, duke u rizgjedhur sërish në krye të vendit.
"Rezultatet na dëshmojnë përsëri të drejtë," është shprehur zëvendëspresidenti Teodoro Nguema Obiang Mangue, i cili është djali i presidentit. Sipas BBC-së, ai më tej ka njoftuar për “një festë të mrekullushme”.
Presidenti Obiang ka një kontroll të fortë në kombin qendror të Afrikës së pasur me naftë, me anëtarë të familjes në role kyçe të qeverisë.
Ai ka marrë pushtetin në vitin 1979 pas një puçi ushtarak dhe u ka mbijetuar disa përpjekjeve për grusht shteti.
Ndërkohë, opozita politike pengohet rëndë nga mungesa e një shtypi të lirë, pasi të gjitha mediat elektronike ose janë në pronësi të plotë të qeverisë ose të kontrolluara nga aleatët e saj.
Mendohet se presidenti Obiang, i cili më parë ka mohuar akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut dhe manipulim të zgjedhjeve, synon të përdorë mandatin e tij të gjashtë për të pastruar reputacionin e tij ndërkombëtar.
Në shtator, qeveria e tij hoqi dënimin me vdekje, një veprim i cili u vlerësua nga Kombet e Bashkuara.
