Portugalia e regjistron ditën më të nxehtë të majit, vazhdon vapa në Evropë
Portugalia ka regjistruar një temperaturë rekorde për muajin maj – 40,3 gradë Celsius, përderisa vendet e Evropës Perëndimore po ballafaqohen me mot jashtëzakonisht të nxehtë për këtë periudhë të vitit.
Rekordi në Portugali u regjistrua në qytezën qendrore, Mora, duke e thyer rekordin e mëparshëm prej 40 gradësh Celsius, i regjistruar në majin e vitit 2001, raporton televizioni BBC.
Ministrat në Francë do të takohen për ta vlerësuar gjendjen e gatishmërisë së vendit për t’u ballafaquar me valët e të nxehtit, ndërsa tenisti Jannik Sinner u tërhoq nga gara “French Open” pas problemeve të shkaktuara nga vapa.
Autoritetet italiane kanë lëshuar paralajmërim me ngjyrë të kuqe për rrezikun nga vapa në kryeqytetin Romë, ku temperatura maksimale të enjten pritej të shkonte në 32 gradë Celsius.
Parashikohet që vala e vapës të vazhdojë në fundjavë. Edhe Gjermania, Spanja e Zvicra janë ballafaquar me mot të pazakontë për këtë muaj të pranverës.
Para pak ditëve, temperaturë rekorde për muajin maj regjistroi edhe Britania e Madhe – 34,8 gradë Celsius.