Polonia thotë se ka siguruar katër miliardë dollarë hua nga ShBA-ja për blerje të mbrojtjes
Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, tha të enjten se vendi i tij ka nënshkruar një hua prej katër miliardë dollarësh si pjesë e programit të Financimit të Huaj Ushtarak të Shteteve të Bashkuara, e cila do ta ndihmojë financimin e transformimit të forcave të armatosura polake.
“Kjo është një tjetër dëshmi e besimit të madh dhe aleancës së fortë mes Polonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës” – shkroi ministri polak në rrjetin X, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kosiniak-Kamysz tha se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar gjithsej mbi 11 miliardë dollarë për t’i financuar programet e armatosjes, përfshirë sistemin e mbrojtjes ajrore “Patriot” dhe helikopterët e tipit “Apache”.
E nxitur nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës më 2022, Polonia është bërë shteti me shpenzimet më të mëdha nga vendet e NATO-s në fushën e mbrojtjes në raportin mes pasurisë kombëtare dhe buxhetit të mbrojtjes.
Varshava ka thënë se do të shpenzojë 4,1 për qind të prodhimit vendës bruto në mbrojtje këtë vit, ndërsa është zotuar se ky numër do të shkojë në 4,7 për qind vitin e ardhshëm.