Policia thotë se zyrtarët e arrestuar të Komunës së Prishtinës janë dërguar në mbajtje
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin e djeshëm të tre zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës.
Në raportin 24 orësh të policisë është bërë me dije se të arrestuarit nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.
“Tre persona, dy meshkuj dhe një femër, kosovarë, zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës, janë arrestuar për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale të lartcekur. Të dyshuarit pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, është thënë në raportin e Policisë së Kosovës.
Lidhur me këtë rast është intervistuar edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.
Ai ka treguar se intervistimi është bërë në cilësinë e dëshmitarit.
“Ju njoftoj se sot pasdite jam intervistuar nga Policia e Kosovës, në cilësinë e DËSHMITARIT, në ndërlidhje me rastin e ndalimit të tre zyrtarëve komunal të Komunës së Prishtinës”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.