Policia gjermane e arreston pengmarrësin në Gjermani
Policia gjermane ka arrestuar një person që raportohet se mori peng një grua dhe një fëmijë në qytetin Dresden. Pas orës 12, forcat speciale u futën në një qendër tregtare dhe e arrestuan pengmarrësin. I dyshuari është lënduar, ndërsa pengjet nuk kanë pësuar lëndime, raporton e përditshmja gjermane, “Bild”.
Çfarë ndodhi në Dresden?
Gazeta Nacionale raporton se policia gjermane ka evakuuar një qendër tregtare dhe zonën përreth saj në qytetin lindor gjerman, Dresden, për shkak të dyshimeve për pengmarrje, sipas një deklarate të autoriteteve të sigurisë.
“Departamenti i Policisë së Dresdenit është tash për tash duke kryer një operacion në qendër të Dresdenit. Prapavija është dyshimi për një situatë pengmarrjeje”- thuhet në deklaratën e publikuar në uebfaqen e policisë.
E përditshmja e njohur gjermane, “Bild”, raportoi se një burrë i armatosur ka vrarë një grua, pastaj është futur në hapësirën e një radio-stacioni dhe ka qëlluar para se të largohej e të hynte në një qendër tregtare, ku ka marrë disa pengje, raporton agjencia “Reuters”, përcjell gazeta Nacionale.
Radio Dresdeni raportoi në uebfaqen e saj se një burrë i armatosur ka hyrë në ndërtesën Ammonhof, ku ndodhet radio-stacioni, dhe se ka pasur të shtëna.
Gazeta "Bild" raporton se sulmuesi i dyshuar është një burrë 40-vjeçar, i cili dyshohet se e ka vrarë nënën e vet 70-vjeçare. Raportohet se sulmuesi është fshehur në një barnatore, ku ka marrë disa pengje.
Policia thotë se e ka kontaktuar përmes telefonit personin e dyshuar për marrje të pengjeve.