Policia bastis një shtëpi në Viti, konfiskon armë, fishekë, thikë dhe boks metali
Drejtoria Rajonale e Gjilanit ka bastisur sot shtëpinë e një personi në Viti, pasi kishte pranuar informata se i dyshuari posedonte armë zjarri.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar një revole, një karikator me gjashtë fishekë, një tjetër karikator i zbrazur, një thikë dhe një boks metali.
“Njësia e Hetimeve në stacionin policor në Viti pas marrjes së informatave përmes rrugëve operative me mbështetje të njësiteve patrulluese ka bërë bastisjen në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit D.K.(1971) shtetas kosovar, se ai posedon armë zjarri”, thuhet në njoftimin për media.
“I dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti me kallëzim penal “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar të armëve” procedohet në procedurë të rregullt në Prokurorinë Themelore Gjilan”, thuhet tutje në njoftim.