Përvetësoi rreth 5 mijë euro të Spitalit në Prizren, ngrihet aktakuzë ndaj zyrtares financiare
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtares financiare të Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, e cila dyshohet se për gjashtë muaj të vitit të kaluar ka përvetësuar 4 mijë e 758 euro.
Përmes një komunikate për media, prokuroria ka treguar se si zyrtarja në fjalë e ka realizuar këtë veprim antiligjor.
“Sipas aktakuzës, e pandehura si person zyrtar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së saj, në atë mënyrë që në cilësinë e Zyrtares financiare dhe të arkëtares, në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr Daut Mustafa”, në Prizren, prej periudhës kohore 28.06.2022 e deri me datë 12.08.2022 prej reparteve të Oftalmologjisë, Dializës dhe Emergjencës, në arkë ka inkasuar para në vlerë prej 36,143.38 euro ndërsa në xhirollogarinë e Spitalit ka deponuar vetëm 31,385.00 Euro dhe kësisoj ka përvetësuar shumën prej 4,758.38 euro dhe për shumën e njëjtë i ka shkaktuar dëm financiar Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa”, në Prizren”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.