Përmbyten dy barka me imigrantë në Greqi, së paku 15 të vdekur - NACIONALE

Përmbyten dy barka me imigrantë në Greqi, së paku 15 të vdekur

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën 15 persona kanë vdekur pas përmbytjes së dy barkave me imigrantë në ujërat greke. Ekipet e shpëtimit po kërkojnë dhjetëra të tjerë të zhdukur, thanë autoritetet të enjten herët.

Roja bregdetare tha se 15 trupa janë nxjerrë afër ishullit lindor, Lesbos, pasi një barkë me rreth 40 persona u fundos. Pesë persona u shpëtuan dhe vendndodhja e tre të tjerëve është zbuluar në një gur mbi ujë, afër vendit të përmbytjes.

Një operacion tjetër shpëtimi u nis disa qindra kilometra në perëndim, afër ishullit Kythira, ku një barkë me rreth 100 imigrantë u përmbyt të mërkurën vonë, raporton agjencia “Associated Press”.

Zyrtarët thanë se 30 persona janë shpëtuar, pasi barka goditi gurë afër fshatit bregdetar, Diakofti, në lindje të ishullit. Shpejtësia e erës në rajon ishte deri në 70 kilometra në orë.

Shumica e imigrantëve që arrijnë në Greqi, vijnë nga Turqia fqinje, por trafikuesit i kanë ndryshuar rrugët muajve të fundit në përpjekje për t’i shmangur ujërat me patrulla të shpeshta përreth ishujve grekë, afër bregdetit turk.

Lajme të ngjashme